Letra e njoftimit

Kush jemi ne

SË BASHKU MË TË FUQISHËM është një shoqatë e komunitetit të njerëzve që jetojnë me HIV në Maqedoninë e Veriut, e cila ofron mbështetje për njerëzit me HIV dhe përkujdeset për përmirësimin e cilësisë së jetesës së tyre.

Anëtarët tanë janë njerëz që jetojnë me HIV, dhe mbështetësit e tyre të afërt. SË BASHKU MË TË FUQISHËM bashkon njerëz që dallojnë në bazë të gjinisë, moshës, orientimit seksual, identitetit gjinor, përkatësisë etnike, bindjes fetare, statusit social dhe arsimor, orientimit politik dhe në shumë baza të tjera.

Titulli i plotë:

Shoqata për Mbështetjen e Njerëzve që jetojnë me HIV – SË BASHKU MË TË FUQISHËM Shkup

Titulli i shkurtër:

Shoqata SË BASHKU MË TË FUQISHËM Shkup

Vizioni

Nisemi nga vizioni për një shoqëri brenda së cilës njerëzit që jetojnë me HIV kanë një jetë dinjitoze dhe të realizuar, të çliruar nga shtrëngesat e stigmës dhe diskriminimit, dhe brenda së cilës kanë akses të papenguar në përkujdesjen gjithëpërfshirëse shëndetësore, në kurimin dhe terapinë në lidhje me HIV, si dhe në lidhje me gjendje të tjera shëndetësore, konform arritjeve më bashkëkohore të shkencës.

Misioni

Veprojmë për të fuqizuar njerëzit që jetojnë me HIV si anëtarë të barabartë në shoqëri, për respektimin e dinjitetit të tyre dhe për realizimin e të drejtave të tyre të shëndetit dhe të njeriut.

Veçanërisht përkushtohemi për të siguruar akses të vazhdueshëm në terapi bashkëkohore kundër-virale dhe trajtim gjithëpërfshirës të infektimit me HIV dhe të gjendjeve që kanë apo nuk kanë të bëjnë me HIV, konform arritjeve më bashkëkohore të shkencës.

Si veprojmë

SË BASHKU MË TË FUQISHËM vepron në 4 fushat kryesore, si më poshtë:

MBËSHTETJE Shërbimet e mbështetjes – moshatare, psiko-sociale dhe juridike – dhe aktivitete për fuqizimin e njerëzve që jetojnë me HIV në Maqedoninë e Veriut

TESTIM PËR HIV Shërbimet e testimit dhe këshillimit për HIV falas, përmes pikës së testimit në hapësirat tona në Debar Maallo

POLITIKA Avokimi për të drejtat e njerëzve që jetojnë me HIV, sidomos në lidhje me aksesin në terapi cilësore dhe bashkëkohore, dhe pjesëmarrje në krijimin e politikave publike në lidhje me HIV, shëndetësinë publike dhe mbrojtjen shëndetësore

NDËRGJEGJËSIM Rritja e ndërgjegjësimit publik mbi HIV, për të pakësuar paragjykimet, stigmën dhe diskriminimin ndaj njerëzve me HIV, si dhe për të rritur kulturën e testimit të rregullt për HIV

Ndërtimi i kapaciteteve dhe lehtësimi i përgjigjes kombëtare ndaj HIV. SË BASHKU MË TË FUQISHËM kohë pas kohe organizon dhe aktivitete për ndërtimin e kapaciteteve në lidhje me HIV tek punonjësit shëndetësorë dhe tek profilet e tjera profesionale.Ne nisim dhe lehtësojmë procese eksperte këshillimore në lidhje me kurimin dhe parandalimin, si dhe në lidhje me menaxhimin e përgjigjes kombëtare ndaj HIV.

Veprimi me anë të partneriteteve. Besojmë se ndryshimet me sukses arrihen me përpjekje të bashkuara; mbështesim dhe veprojmë me anë të partneriteteve me organizata të tjera të shoqërisë civile, të cilat ushqejnë vlera të ngjashme me vlerat e tona dhe të cilat veprojnë për qëllime të përbashkëta.

Bashkëpunimi dhe zëshmëria. Në kuadrin e avokimit tanë, besojmë në bashkëpunimin me institucionet dhe investojmë në të; në të njëjtën kohë, mbetemi të zëshëm në publik çdoherë kur gjendja imponon këtë.

Vlerat dhe parimet

Vlerat themelore mbi të cilat organizohet puna dhe veprimi i SË BASHKU MË TË FUQISHËM janë:

  • barazia dhe barabarësia,
  • reciprociteti dhe solidariteti,
  • pjesëmarrja,
  • besueshmëria,
  • paanësia dhe pavarësia,
  • transparenca,
  • ligjshmëria në punë.

Shoqata SË BASHKU MË TË FUQISHËM njeh dhe merr parasysh nevojat specifike të personave që jetojnë me HIV, e të cilët vijnë nga nëngrupe dhe komunitete të ndryshme që janë prekur nga HIV, e sidomos gratë, burrat gej dhe biseksualë dhe burrat e tjerë që bëjnë seks me burra, personat trans, burrat heteroseksualë, si dhe pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme etnike.

Shoqata SË BASHKU MË TË FUQISHËM njeh dhe merr parasysh në punën e vet problemet dhe nevojat specifike të komunitetit të burrave gej dhe biseksualë, si dhe të personave trans, gjegjësisht, popullsisë më të gjerë të burrave që kanë marrëdhënie seksuale me burra, si komunitet, apo popullsi, e cila joproporcionalisht dhe në mënyrë mbizotëruese është prekur nga HIV në Republikën e Maqedonisë së Veriut; në këtë komunitet, përkatësisht, popullsi, është numri më i lartë i personave me HIV, të cilët nuk janë të vetëdijshëm për statusin e vet HIV dhe të cilët nuk kanë akses në terapi dhe përkujdesje shëndetësore.

Shoqata orvatet të sigurojë përfaqësimin përkatës të komunitetit të burrave gej dhe biseksualë dhe personave trans në administratën e vet.

Në veprimin e saj, SË BASHKU MË TË FUQISHËM niset edhe nga parimet e mëposhtme:

  • Zbatimi i politikave të mundësive të barabarta, sigurimi i baraspeshës më të drejtë të mundshme dhe përfaqësimit të të gjithë personave me HIV në të gjitha fushat e veprimit të saj;
  • Promovimi dhe aplikimi i qëndrueshëm i parimeve të të drejtave kombëtare dhe kulturore të barazisë dhe dallimit midis të gjithë personave që jetojnë me HIV;
  • Promovimi i harmonisë, bashkëpunimit, shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe informacioneve tona, puna në ekip, kultura e dialogut dhe komunikimit;
  • Ruajtja e mëvetësisë dhe veprimit të vet në përputhje me vizionin, misionin, objektivat dhe parimet tona;
  • Krijimi, vendosja dhe vëzhgimin i treguesve të matshëm për monitorimin e aktiviteteve tona dhe vlerësimin e rezultateve, gjë kjo e cila do na bëjë më transparentë dhe më të përgjegjshëm si përpara anëtarëve tanë, ashtu dhe përpara komunitetit të PJHIV në RMV, autoriteteve dhe donatorëve;
  • Transparenca dhe llogaridhënia, informimi i publikut rreth aktiviteteve, burimeve dhe metodave të financimit, aplikimi i ligjeve, normave ligjore pozitive dhe i standardeve dhe rregullave të tjera të brendshme dhe ndërkombëtare.

Historiku

SË BASHKU MË TË FUQISHËM u themelua në vitin 2009, si grup për mbështetje dhe aktivizëm të komunitetit të njerëzve që jetojnë me HIV, në kuadrin e asociacionit HERA, ndërsa si shoqatë e mëvetësishme u regjistrua në dhjetor të vitit 2013, pas seancës së Kuvendit Themelues, e cila u mbajt më 5 tetor të vitit 2013.